Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë, në Pogradec

Ka ulur siparin edicioni i 8-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, në Pogradec. Një festival i cili zgjati plot 7 ditë me radhë ku u shfaqën mbi 70 filma të ndryshëm artistikë, dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër.

Me çmim të parë u nderua filmi “Dita zë fill” i Gent Goçit, ndërsa çmimet e tjera shkuan për Bullgarinë, Slloveninë, Maqedoninë, Greqinë, etj.

Për organizatorin e këtij festivali, Eno Milkani, edhe ky vit ishte një sukses, ndërsa ka ende disa sfida për t’u përmirësuar në festivalin e ardhshëm.

Ndërsa për Presidentin e Nderit të këtij festivali Viktor Zhusti ky edicion ka qenë një sukses i vërtetë, kombinimi e krijimtarisë me natyrën dhe turizmin kanë krijuar një atmosferë mjaft interesante dhe frymëzuese në Pogradec për këta krijues.

Pjesë e festivalit edhe këtë vit ishte Mish-Mash Production ku të rinj nga gjithë Ballkani prodhuan minireportazhe për çështje të ndryshme sociale si dhuna ndaj fëmijëve apo edhe paqja.

Çmimi i parë ka shkuar për “Let me Hug You”, një minireportazh i krijuar nga fëmijë nga Kosova e Serbia të cilët përcollën kështu mesazhin e paqes dhe dashurisë.

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë, prej vitesh përbën një ngjarje të rëndësishme për të gjithë rajonin pasi në të promovohen filma nga shumë vende të Ballkanit si dhe kineastë të rinj.

Një risi për këtë vit në natën e fundit ishte premiera botërore e filmit të gjatë spanjoll “Zgjimi i Enver Simakut”. Në këtë film që frymëzohet nga Shqipëria e vitit 1997, interpretojnë ikona të kinematografisë shqiptare si Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Piro Milkani, Ema Andrea e Laert Vasili.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *