Shefi ekzekutiv i firmës bioteknologjike gjermane BioNTech, e cila ka krijuar vaksinën e parë kundër koronavirusit së bashku me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, tha se deri kah mesi i vitit 2022 mund të duhet një formulë e re për mbrojtje kundër mutacioneve të ardhshme të virusit.
Ugur Sahin tha për gazetën Financial Times se me kalimin e kohës, mutacionet në virus e zvogëlojnë përgjigjen imune të trupit.
Këtë vit, nuk është e nevojshme vaksina e re, por “nga mesi i vitit të ardhshëm, mund të jetë një situatë tjetër”, tha Sahin.
Sahin tha se varianti Delta i koronavirusit – aktualisht dominues në pjesën më të madhe të botës – është më ngjitës, por jo thelbësisht i ndryshëm për t’i bërë vaksinat aktuale joefektive.
Por, shtoi ai, derisa virusi vazhdon të pësojë mutacione, ai mund të dobësojë efektivitetin e vaksinave.
“Ky virus do të qëndrojë dhe do të përshtatet tutje”, tha Sahin.